
Propaganda e Stalinit ‘i zhduku armiqtë’ edhe nga fotografitë
Joseph Vissarionovich Stalin nuk kishte Photoshop, por kjo nuk e pengoi atë t’i modifikonte fotografitë në mënyrë që në librat e historisë të kujtohej gjithmonë si figurë e lartësuar dhe gjithmonë e pashme.

Në të majtë fotografia origjinale e Stalinit (1924). Dallohen shenjat e lisë, kaluar në fëmijëri, në të djathtë (1939) retushimi me lëkurë e flokë të lëmuar.
Përmes retushimit të fotografive u rimodeluan pamje, u zhdukën personazhe dhe kështu Stalini ia doli të shfaqej si “i vetmi mik dhe pasardhës i Leninit”, ish-udhëheqësit të Revolucionit Bolshevik dhe themeluesit të Bashkimit Sovjetik.
Pasi erdhi në pushtet në vitin 1929, Stalini i shpalli luftë kujtdo që i dilte përpara etjes së tij për pushtet.
Duke filluar nga ky vit, ai zhduku disa grupe “armiqsh politikë”. Rreth 750 mijë njerëz vdiqën gjatë “Spastrimit të Madh”, siç njihet në histori, dhe më shumë se 1 milion të tjerë u dëbuan me dhunë në zona të largëta për punë të rëndë në sistemin e quajtur Gulag.
Gjatë spastrimeve, shumë nga armiqtë e Stalinit nuk u zhdukën vetëm nga shtëpitë e tyre, por edhe nga fotografitë zyrtare.

Ish-drejtuesi i policisë sekrete Nikolai Yezhov (në të djathtë) fotografuar krah Stalinit, u zhduk pas pushkatimit gjatë viteve 30-të.

Fotografia pa Nikolai Yezhov pas pushkatimit gjatë viteve 30-të.
Stalini e dinte vlerën e fotografive për shkrimin e historisë dhe propagandën. Retushimi u kthye në punë thuajse artizanale për strukturat e “Agjit-Propit” ku kryesisht puna më e rëndomtë ishte kërkimi në arkiva.
Shpesh figura e Stalinit vendosej në fotografi të tjera ku ai nuk kishte qenë i pranishëm, ose retushohej në pamje për t’u dukur më i pashëm.
Ngjashëm bëhej edhe me personat që zhdukeshin nga fotografitë. Shpesh Stalini mbetej i vetmi në një fotografi që kur u shkrep ishin në grup.

Fotografi (1926) e Stalinit bashkë me Nikolai Antipov, Sergey Kirov dhe Nikolai Shvernik, të ekzekutuar njëri pas tjetrit.

Fotografi e Stalinit retushuar deri në pikën ku ai shfaqet vetëm dhe me ngjyra.
Ndër fotografitë më të njohura të zhdukura nga Agjit-Propi janë ato me Leon Trotsky-in. Ish-udhëheqësi bolshevik që ndihmoi Leninin në Revolucion u dëbua nga Stalini dhe u përndoq deri në vdekje.

Fotografi (1920) ku Trotsky ndodhet në pod me Leninin, në versionet e mëvonshme të viteve 30-të ai është i zhdukur.
Retushimi i fotografive në grup ishte ndër proceset më të vështira. Por Stalini i bënte punët gjithmonë e më të lehta për Departamentin e “Agjit-Prop”-it.
Ai i zhdukte të gjithë duke bërë që për shembull një fotografi me Leninin të mbetej në fund një pozë e vetëm dy personave.

Fotografi (1920) e një grupi të udhëheqjes bolshevike, mes të cilëve edhe Grigory Zinoviev, Nikolai Bukharin dhe Karl Radek, retushohet duke lënë vetëm Leninin dhe shkrimtarin Maxim Gorky.
Megjithatë fotografia më e famshme për retushimin e bërë është ajo e “Çlirimit të Berlinit” më 2 maj 1945.
Sovjetikët interesoheshin ta përcillnin si ngjarje sa më madhështore dhe për këtë ri-inskenimi i ngritjes së flamurit sovjetik në Berlin kërkoi një retushim më vete, pasi një nga ushtarët u pa pas shkrepjes se kishte dy ora, duke nënkuptuar se orën në dorën e djathtë e kishte plaçkitur në fushë-betejë.
Për të shmangur çdo lloj insinuate sovjetikët e hoqën orën e djathtë dhe në fotografinë që u botua në shtyp pamja kishte tjetër ide nga ajo që realisht ishte në fillim.

Fotografia e retushuar e ngritjes së flamurit sovjetik në Berlin më 2 maj 1945.
Fotografia kishte shumë kuptim për Sovjetikët, pasi ishte një skenim i ngjashëm me atë të amerikanëve shkrepur më 23 shkurt 1945 në “Iwo Jima” gjatë luftës në Paqësor.

Fotografia e marinasve amerikanë duke ngritur flamurin më 23 shkurt 1945 në “Iwo Jima”.