Pronari i Chelsea FC sanksionohet nga Britania, ç’do të thotë kjo?

Pronari i Chelsea FC Roman Abramovich është sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e përgjigjes së saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

55 vjeçari është një nga shtatë oligarkët që do të goditet me sanksione të reja, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit. Ai vlerësohet të ketë një pasuri prej 18 miliardë dollarësh dhge ja mohuar më parë lidhjet financiare me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

Lista përfshin gjithashtu miliarderët Igor Sechin dhe Oleg Deripaska, që të dy shihen si aleatë të Vladimir Putin.

Kryeministri Boris Johnson tha se “nuk mund të ketë strehë të sigurt” për ata që kanë mbështetur pushtimin.

Javën e kaluar Abramovich njoftoi se  synon të shesë Chelsean pas pothuajse 20 vitesh pronësi, me të ardhurat neto nga shitja që do t’u dhurohen sipas tij ” viktimave të luftës në Ukrainë”.

Sanksionet do të hyjnë në fuqi përpara se të bëhet shitja e klubit të futbollit, që vlerësohet të jetë rreth 3 miliardë paund.

55-vjeçari ka pasur sukses të paprecedentë, me Chelsean duke fituar 19 trofe, duke përfshirë pesë tituj të Premier League dhe dy nga Liga e Kampionëve.

Britania është kombi i parë që vendos sanksione ndaj  Abramovich.