Prokuroria e Tiranës nis hetimet për “dhunë në familje” në konfliktin Elia Zaharia dhe Princ Leka

Prokuroria e Tiranës njofton zyrtarisht se ka nisur hetimet për konfliktin e ndodhur në familjen mbretërore, për të cilin ekzistojnë dy versione dhe një video  të publikuar ditën e djeshme në disa nga mediat vendase. Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Princ Leka ka kryer një kallëzim për “dhunë në familje” ndaj ish-bashkëshortes Elia Zaharia, ndërkohë që kanë nisur hetimet edhe për publikimin e pamjeve që tregojnë konfliktin mes tyre. Deri më tani rezulton se ky material filmik është depozituar në Prokurori. Pritet që në vijim të dalin të tjera detaje mbi konfliktin dhe nëse vërtet Princ Leka ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të Elia Zaharia.

“Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale. Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal. Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.  Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur. Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”.

Del dëshmia e Princ Lekës: Babai i ish-bashkëshortes, Gjergj Zaharia me goditi në prani të vajzës