
Projekti prej 1,500km hekurudhë “ndan” Meksikën
Për shumë shekuj zona të thella me xhungla në jug të Meksikës nuk kanë ndryshuar shumë, por së fundmi shkencëtarët dhe aktivistët e mjedisit kanë ngritur shqetësimin se ekosistemet e gadishullit Jukatan mund të degradojnë.
Shkak për këtë është bërë një projekt madhor i autoriteteve meksikane për të ndërtuar një linjë hekurudhore prej rreth 1,500 kilometrash, e cila synon të lidhë zonat turistike me ato rurale dhe arkeologjike.
Kjo linjë e pagëzuar me emrin Treni Maya, pritet të lidhë bregdetin e Cancun-it me tempujt e lashtë Maja.
Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador është zotuar ta përfundojë hekurudhën brenda vitit 2023.
Por projekti prej 20 miliardë dollarësh ka ndarë meksikanët dhe ka ngritur pyetje se si të balancohet më së miri progresi ekonomik me përgjegjësinë mjedisore.
Ekspertët janë të shqetësuar pasi hekurudha do të ndajë në dy pjesë zona të mëdha me xhungla dhe ekosisteme të brishta.
Kafshët do ta kenë të vështirë të kalojnë nga një krah në anën tjetër, sidomos në periudhat e thata ku shumë prej tyre migrojnë në kërkim të ujit.
Qeveria thotë se hekurudha do të nxjerrë më shumë se një milion njerëz nga varfëria dhe do të krijojë deri në 715,000 vende të reja pune. Por gjithashtu do ta afrojë botën moderne me speciet eksotike, si xhaguarët apo lakuriqët e natës.
Megjithatë shkencëtarët dhe aktivistët thonë se qeveria ka ndërprerë vlerësimet e rrezikut mjedisor në një përpjekje për ta përfunduar me patjetër projektin gjatë mandatit të Lopez Obrador.
Një pjesë e studimit të ndikimit të qeverisë për projektin thotë se rreziqet mjedisore janë “të parëndësishme” dhe “janë zbutur në mënyrë të kujdesshme”.
Shpellat e lashta kanë qenë gjithashtu vendi i zbulimeve, të tilla si fosilet njerëzore dhe artefaktet e Majave, si një kanoe që vlerësohet të jetë më shumë se 2 mijë-vjeçare.
Pavarësisht shqetësimeve për hekurudhën, ajo ka mbështetjen e shumë zonave rurale, të cilat prej brezash janë harruar gjerësisht nga planet e zhvillimit kombëtar.
Kjo ka nxitur edhe më tej polarizimin e qëndrimeve për projektin, i cili duket se do të shkojë deri në fund.
*Tibo News.