
Projektet e reja të Florjan Binaj pas largimit nga “Portokalli”
https://www.facebook.com/tibo.tv/videos/404445424359574
Florjan Binaj, aktori i njohur i humorit, kohëve të fundit ka vendosur të largohet nga “Portokallia”, vend ky, ku nisi karriera e tij dhe ku e kemi ndjekur prej 18 vitesh me rradhë.
Bashkë me vendimin e tij për të hequr dorë nga vendi ku nisi gjithçka, Flori ka në kokë gjëra të reja, të cilat pritet t’i ndajë me kalimin e kohës.
Mbrëmjen e së premtes, me rastin e 1-prillit, njohur ndryshe si Dita e Gënjeshtrave, në qendrën sociale “Tek Bunkeri”, u mbajt një event, pjesë e të cilit ishte edhe Flori.
Ai si fillim bëri një bashkëbisedim me publikun, ku ata nuk u kursyen me pyetjet e tyre. Më pas pranoi me kënaqësi një intervistë me gazetaren e Tibo News Adelina Onuzi.
Flori tregoi detaje nga planet që e presin. Atë e kemi parë të angazhuar në çështjet qytetare, të tilla si ajo e teatrit, studentëve, ambjentalistet, rritjes së çmimeve dhe jo vetëm.
Si të tillë, nuk është e çuditshme që publiku duke e parë si fillim si artist dhe qytetar të denjë, ta shohë si potencial për të çuar çështjet e tyre më lart.
Ndonëse ai nuk dha një dritë jeshile për një angazhim politik nga ana e tij, publiku vazhdon të ketë një shpresë të mbjellë dhe dëshiron ta shikojë aktiv në politikë.
Si pjesëmarrës në shumë protesta, ne padyshim do donim të dinim se cilën kishte më përzemër.
Ai në fakt u shpreh se ishte kjo e fundit, për rritjen e çmimeve, por vazhdon të ketë një protestë si të brendshme, ashtu edhe të jashtme përsa i përket shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar.
Flori ka një marrëdhënie të rëndësishme me të vërtetën, çështje kjo për të cilën nuk do të bënte kompromise kurrsesi.
Këtë përveçse në jetën e përditshme e ka ruajtur dhe në atë profesionalen.
Florjan Binaj e ka të ndarë jetën e tij pothuajse në dy pjesë të barabarta, 18 vite me Portokalli dhe 18 vite pa të, ndaj tregoi se largimi nuk ishte i thjeshtë, por ka qenë gradual pasi jo çdo gjë shkonte vaj, ishte si zë i brendshëm që i tregonte se është koha për të lëvizur.
Në postimin e tij në rrjetin social “Instagram”, Binaj u shpreh se do të merrej me një tjetër mision, atë të së drejtës autorit.
I pyetur nga Tibo News nëse e gjithë kjo u frymëzua nga eksperienca e tij personale, ai pohoi dhe u shpreh se donte të “luftonte” jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë artistët, pasi çështja e të drejtës së autorit ishte e cënuar.
Që nga java e parë e mungesës në ekran, dashamirësit e artit të tij e ndjenë mungesën dhe e kërkojnë vazhdimisht, jo vetëm Florin si personazh, por rolet që publiku i përqafoi për vite me rradhë, ndër ta, atë të policit.
“Këto janë personazhe që unë i kam krijuar dhe i kam kudo, si nën mëngë, mjafton vetëm t’i nxjerr. Për momentin nuk kam ende një vend të saktë ku do i nxjerr, por që kjo ndarje me Portokallinë, nuk është ndarje e publikut me personazhet, ishte thjeshtë ndarje e imja me Portokallinë,” u shpreh Flori enkas për Tibo News.
Ndërkohë që ndiqnit Florin asokohe si polic në Portokalli, a mund t’ju ketë ardhur nëpër mend tani se cili polic do ishte ai në shesh?
Një polic që ruan protestën dhe mbase ndër të tjera arreston apo polici që merr kolegët bashkë me uniforma dhe i çon drejt protestës?
Mbrëmjen e së premtes, pa dyshim që nuk i mungoi një pyetje e tillë dhe siç pritej ai do të ishte ky i fundit.
Siç e kemi vënë re, Flori ka qenë ndër të paktët artistë që ka dalur haptazi ndaj kauzave.
Ky fakt përveçse e bënte atë të ndihej keq që mbështetja e tyre mungon, ishte tregues se në fakt duhej vënë një pikëpyetje për ata që quajmë artistë, mënyrë kjo që të pakësonte zhgënjimin në fund.
Duke qenë se gjatë gjithë këtyre viteve Flori ka qenë i angazhuar plotësisht me Portokallinë, koha nuk i ka premtuar për idetë që projektonte në kokë, por ai gjithsesi ka hedhur disa “themele” mbi to, që pritet të zhvillohen dhe shfaqen në një të ardhme.
Ai nuk e ka ende të qartë se ku dhe kur do jetë koha më e afërt që ne do mund ta ndjekim, por deri atëherë ai do të jetë në rrjetet sociale nga ku edhe do të lajmërojë ndjekësit për çdo të re dhe takim të mundshëm.