
Problemet e Whatsapp reflektohen në bursa
Aplikacioni i mesazheve WhatsApp rifilloi punën e tij këtë të martën pasi dhjetëra mijëra përdorues në mbarë botën raportuan probleme më herët gjatë ditës. Më shumë se 68,000 persona raportuan se nuk mund të dërgonin mesazhe apo të kryenin telefonata nëpërmjet aplikacionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Probleme u raportuan gjithashtu nga rreth 19,000 njerëz në Singapor dhe 15,000 të tjerë në Afrikën e Jugut.
Një zëdhënës i kompanisë WhatsApp Meta Platforms kërkoi falje për shqetësimin dhe konfirmoi se problemi është rregulluar. Megjithatë kompania nuk bëri të ditur arsyen e ndërprerjes.
Kjo ndërprerje e rrjetit social erdhi në kohën e sezonit festiv në Indi ku njerëzit përdorën më shumë se zakonisht platformën për të dërguar urime . WhatsApp është bërë një mjet komunikimi për familjet dhe bizneset në mbarë botën, me mbi dy miliardë përdorues aktivë mujorë.
Aksionet e Meta Platforms ranë me 0.7% në tregjet financiare menjëherë pas ndërprerjes.