
Princi Charles del jashtë traditës, komenton vendimin e qeverisë për azilkërkuesit
Princi Charles i ka përshkruar privatisht planet e qeverisë britanike për të dëbuar azilkërkuesit në Ruanda si “të tmerrshme”, në një kohë kur sipas skemës së qeverisë britanike, fluturimi i parë që do të çonte refugjatët në vendin e Afrikës Lindore do të niset javën e ardhshme.
Charles, trashëgimtari i fronit britanik, është dëgjuar duke kritikuar politikën. Ai thuhet se është i shqetësuar se politika e diskutueshme e azilit do të zbehë samitin e Commonwealth në Ruanda ku ai do të përfaqësojë nënën e tij Mbretëreshën Elizabeth në fund të këtij muaji.
“Ai tha se ishte më se i zhgënjyer nga politika”, tregon një burim për The Times në emër të princit Charles, duke shtuar:
“Ai tha se mendon se e gjithë qasja e qeverisë është e tmerrshme. Ishte e qartë se ai nuk ishte i impresionuar me planin e qeverisë.”
Një zëdhënës i Charles nuk e mohoi se ai kishte shprehur opinione personale për politikën në mënyrë private.
“Ne nuk do të komentojmë bisedat e supozuara anonime private me Princin, përveçse të ritheksojmë se ai mbetet politikisht neutral. Çështjet e politikës janë vendime për qeverinë”, tha zëdhënësi.
Qeveria britanike njoftoi në prill se kishte arritur një marrëveshje për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruandë në një përpjekje për të minuar rrjetet e kontrabandës me njerëz.
Deri në 130 azilkërkues janë njoftuar se mund të dërgoheshin në Ruandë dhe avokatët e gati 100 emigrantëve kanë paraqitur padi ligjore duke kërkuar që ata të qëndronin në Britani. Të paktën 30 individë pritet të largohen nga vendi javën e ardhshme.
Qeveria kapërceu një sfidë ligjore ndaj politikës të premten pasi një gjykatës hodhi poshtë përpjekjet e aktivistëve për të fituar një urdhër qëndrimi. Ai tha se fluturimi i parë mund të realizohej të martën.
Gjykata u dha gjithashtu leje grupeve të të drejtave të njeriut për të apeluar vendimin – një masë që pritet të bëhet të hënën.
Sipas kushtetutës së pashkruar të Britanisë, familja mbretërore duhet të mbetet politikisht neutrale. Mbretëresha Elizabeth i ka mbajtur me këmbëngulje mendimet e saj gjatë mbretërimit të saj shtatë dekadash.
Por Charles duket se po bën të kundërtën, ai ka shprehur pikëpamjet për tema të afërta me zemrën e tij si ruajtja e gjelbërimit, natyra, arkitektura dhe kulturat e modifikuara gjenetikisht.
Nga ana tjetër qeveria e Britanisë mund të përballet me sfida të mëtejshme ligjore për planin e saj, pasi duhet parë nëse Ruanda është në fakt një vend i sigurt për të dërguar njerëz të konsideruar të cenueshëm si azilkërkuesit.
Disa analistë thonë se qeveria e Britanisë ka detyrim ligjor ndërkombëtar për të përcaktuar nëse personat që përballen me deportimin janë azilkërkues të vërtetë që ikin nga vendi i tyre për shkak të rrezikut nga persekutimi.
Zyrtarët e OKB-së dhe grupet e refugjatëve e kanë kritikuar planin si të pazbatueshëm dhe çnjerëzor, duke thënë se ata që po përballen me dërgimin në Ruandë përfshijnë njerëz që ikin nga Siria dhe Afganistani, të cilët mbërritën në Britani përmes Kanalit Anglez me varka të vogla.
Sipas planit, qeveria e Britanisë angazhohet që t’i paguajë më shumë se 150 milion dollarë qeverisë së Ruandës, me shpresën se plani do t’i pengonte njerëzit të kalonin Kanalin Anglez nga Franca me varka të vogla.
Më shumë se 28,000 migrantë dhe azilkërkues hynë në Britani përgjatë Kanalit vitin e kaluar, nga 8,500 që u regjistruan në vitin në 2020. Dhjetra kanë vdekur, duke përfshirë 27 persona në muajin nëntor kur një varkë u përmbys.
*Tibo News