
Princ Harry akuzon vëllain për dhunë fizike
Familja mbretërore britanike është përfshirë prej vitesh nga polemika mbi raportet mes anëtarëve të saj.
Një tjetër “bombë” ka shpërthyer tani më teksa mediat ndërkombëtare raportojnë se Princi Harry ka akuzuar vëllain e tij, Princin William, se e ka sulmuar atë fizikisht përgjatë një debati në vitin 2019 mbi martesën e tij me Meghan Markle.
Ishte “The Guardian” që raportoi fillimisht lajmin duke shpjeguar se kishte arritur të merrte një kopje paraprake të librit “Spare” që do të botohet të martën nga Princ Harry.
Në këtë libër Harry përshkruan se William e kapi atë nga jaka dhe më pas e rrëzoi në dysheme pas një debati ku William kishte kritikuar martesën e të vëllait dhe kishte quajtur Meghan Markle si një njeri të vështirë dhe të vrazhdë.
Sipas “The Guardian” William u largua dhe u rikthye më pas për ti kërkuar falje të vëllait.
Në momentin e përleshjes Meghan nuk ndodhej në dhomë dhe Harry zgjodhi të fliste me një terapist, por sipas vijimit bashkëshortja e princ Harryt mori vesh mbi ngjarjen pasi pa plagët në shpinën e tij.
Nga traileri i një interviste të Princ Harryt që pritet të publikohet këtë fundjavë ai shprehet se nuk ka shkelur privatësinë e familjes mbretërore dhe se nuk e di nëse do të marrë pjesë në kurorëzimin e babait të tij Mbretit Charles.
Publikimi i librit nga Princ Harry pason një seri dokumentarësh me gjashtë pjesë që u transmetua në Netflix muajin e kaluar.
*TiboNews