
Prezantohet projekti “Fuqizimi Europian i Rinisë Akademike”, synon rritjen e kapaciteteve
Sipërmarrësit dhe akademikët e diasporës janë një kapital i çmuar për Shqipërinë, kapital i cili mund të ndihmojë tejmase në zhvillimin e vendit. Kjo u theksua të martën gjatë prezantimit të projektit “Fuqizimi Europian i Rinisë Akademike Shqiptare”, projekt që realizohet në kuadër të programit “Tirana Europian Youth Capital”.
Synimi është rritja e kapaciteteve të të rinjve në fushën e inovacionit, kërkimit shkencor, bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe angazhimi i tyre në hartimin dhe prezantimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Europian.
“Projekti ka nisur më datë 15 qershor, kemi bërë ndalesat e para në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës dhe do të vijojmë me universitetet e tjera publike dhe jopublike deri në fund të nëntorit 2022, pra muajit të parafundit të Tirana Youth Capital,” – tha për Tibo News, Enkelejda Hamzaj, drejtore e Agjencisë së Rinisë në Bashkinë Tiranë.
Pjesë e projekti janë bërë 7 ekspertë, 5 nga diaspora shqiptare dhe dy vendas. Mes akademikëve nga diaspora dallojnë emra si Valentina Ndou, Luljeta Dalliu, Eva Parashqevi Ndrio de Carvalho, Damigela Hoxha, apo Edlira Adi Kahani Subashi.
“Bashkëpunimi që kemi është me vajza dhe gra që vijnë nga diaspora, janë profesoresha në universitete të ndryshme, apo eksperte nga vende si Portugalia, Italia, apo dhe Anglia,” – shpjegoi më tej Hamzaj.
Nisma e ndërmarrë synon të kontribuojë në krijimin e kapaciteteve për të përballuar sfidat me të cilat përballet sot rinia në lidhje me arsimin, formimin, pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe inovacionin.
Për këtë po realizohen takime dhe work-shope me në fokus 7 fusha strategjike për informim, trajnim, dhe promovim metodologjishë shkencore. Çdo fushë do trajtojë 2 tema thelbësore, duke realizuar në total 14 tema.