AlbanianEnglish

Prezantohet kënga “Le t’ia themi Çamërisht”

“Le t’ia themi Çamërisht” është kënga më e fundit që i është shtuar folklorit shqiptar. Me ide të studiuesit Nexhat Merxhushi, tekst nga Jorgo Papingji dhe muzikë nga Edi Balili, ajo interpretohet nga këngëtarët Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi.

Kënga u prezantua me rastin e festave kombëtare të nëntorit gjatë një aktiviteti promovues të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe Fondacionit “Hasan Tahsini” në Tiranë, të cilat mbështetën realizimin e saj.

Vetë këngëtarët e njohur për kontributin në ruajtjen e vlerave kombëtare shprehën emocione për realizimin e fundit, pasi për herë të parë një videoklip përfshin edhe pamje nga Çamëria.

Në këtë aktivitet u promovua edhe “Doracaku për Çamërinë”, një libërth prej 30 faqesh me artikujt e përzgjedhur nga veprimtaria hulumtuese e Nexhat ,Merxhushit, dëshmitar okular i përndjekjeve të shtetit grek ndaj popullsisë çame.

Kuratorja Rajmonda Shundi e vlerësoi botimin si një libër të vogël, por të vlerës së madhe, pasi mund të ngjallë kureshtjen e të rinjve për çështjen çame.

Gjatë aktivitetit të organizuar nga Shoqata Patriotike Çamëria dhe Fondacioni “Hasan Tahsini” u shpërndanë edhe vlerësime mirënjohjeje për kontributet në ruajtjen e kujtesës dhe promovimit të çështjes çame.

Vlerësimet shkuan për studiuesin Merxhushi, diplomatin Shaban Murati, Irakli Koçollari, shkrimtarin Jorgo Papingjit, si dhe këngëtarët Enkelejda e Hysni Alushi. I pranishëm ishte edhe kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i cili si i ftuar nderi shpërndau dhe një pjesë të vlerësimeve.

You don't have permission to register