Presidenti jep mesazh në çeljen e sesionit parlamentar: Kuvendi, jo arenë lufte

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj fjalimin e tij në çelje të sesionit të ri parlamentar e përcolli nga Presidenca.

Ai nuk i përmendi protestat e opozitës, megjithatë theksoi se Kuvendi duhet të jetë arena e debateve konstruktive.

“Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut”.
Ndaj ai u bëri apel palëve për të bashkëpunuar për të mirën e vendit pa u penguar nga interesat partiake.

“Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejnë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv. Përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës, pa shuar debatin, që institucionet e shtetit të forcohen”.

Presidenti tha se klasa politike ka detyrën të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve demokratike: “Interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit socialo-ekonomik të vendit”.