
Presidenti i Torontos s’e dinte kush ishte Insigne: Kërkova për të në internet
Klubi kanadez i futbollit, Toronto njoftoi së fundmi arritjen e një para-kontrate me kapitenin i Napolit Lorenzo Insigne, i cili do t’i bashkohet atyre në fund të sezonit. Futbollisti do të largohet me parametër zero pas 16 vitesh me klubin e fëmijërisë.
Pas 30 qershorit, ai ka premtuar të nënshkruajë një kontratë 4-vjeçare, e cila sipas revistës amerikane Forbes, do ta shpërblejë me 8 milionë dollarë neto në sezon duke e kthyer atë në futbollistin më të paguar në Major League Soccer.
Sidoqoftë ajo që ka tërhequr vëmendjen më së shumti për mediat nuk është kjo pjesë, por një deklaratë e Presidentit të klubit të Torontos, Bill Manning, i cili ka rrëfyer se nuk e njihte Insignen dhe se për të kishte kërkuar në internet.
“Nuk e dija kush ishte Insinje, verën e shkuar, gjatë Europianit, bëra një kërkim në internet. Klikova te Transfermarkt dhe kërkova rreth kombëtares italiane të futbollit në lidhje me lojtarët që ajo kishte. Shqyrtova lojtarët që ishin në përfundim kontrate dhe që mund të lëviznin rishtazi nga klubet e tyre dhe aty i pari në listë më doli Insinje,” – tha Manning.
Rrëfimi i sinqertë i Manning nuk ka qenë pa vend, pasi ai ka treguar hapur se qe interesuar më shumë për Italinë pasi ata kishin shkuar në finalen e europianit duke luajtur një lojë të shkëlqyer. Tashmë ai ia ka arritur qëllimit, ka mundur të sigurojë një kampion evrope në radhët e skuadrës së tij.