Presidenti i ri i Tajvanit i bën thirrje Kinës të ndalojë kërcënimet e saj

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te i kërkoi Kinës të hënën të ndalojë kërcënimet e saj ushtarake dhe politike. Në fjalimin e tij të inaugurimit, ai tha se paqja është e vetmja zgjedhje dhe se Pekini duhet të respektojë zgjedhjen e popullit tajvanez.

Lai, duke iu drejtuar turmës jashtë zyrës presidenciale në Taipei qendror, përsëriti një thirrje për bisedime me Kinën, e cila e sheh ishullin si territorin e vet dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përdorimi i forcës për ta vënë atë nën kontrollin e Pekinit.

“Unë gjithashtu dua t’i bëj thirrje Kinës që të ndalojë së frikësuari politikisht dhe ushtarakisht Tajvanin dhe të marrë përsipër përgjegjësinë globale me Tajvanin për të punuar shumë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe në rajon, për të siguruar që bota të jetë pa frikën e shpërthimit të luftës. Ne gjithashtu duam t’ia shpallim këtë botës: Tajvani nuk bën lëshime për demokracinë dhe lirinë. Paqja është opsioni i vetëm dhe prosperiteti është qëllimi ynë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë.“, tha ai.

Ende nuk ka asnjë reagim nga Kina, e cila e ka quajtur Lai një “separatist” që rrezikonte luftën në prag të zgjedhjes së tij në janar.

Tajvani është përballur me presion nga Kina, duke përfshirë aktivitetet e rregullta të forcave ajrore dhe marinës pranë ishullit, që nga fitorja e zgjedhjeve nga Lai, 64 vjeç, i cili njihet gjerësisht me emrin e tij anglez, William.