Presidenti i Kroacisë në Bruksel: Kosova të anëtarësohet në NATO

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ditën e sotme ka qenë pjesë e samitit të NATO-s të mbajtur në Bruksel. Në fjalën e tij Milanoviç është shprehur që Kosova duhet të integrohet në Aleancën Veriatlantike, duke shtuar se kështu mund të bëhet shtet i plotë.

“Katër vendet anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai është shprehur se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, është shprehur Milanoviç.

Ndërkohë kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.