AlbanianEnglish

Presidenti i FSHF-së Armand Duka nën hetim për shpërdorim detyre

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.

Lajmi u bë me dije për mediat mëngjesin e së hënës. Presidenti i FSHF-së do të hetohet për shpërdorim detyre, shpërdorim fondesh dhe evazion fiskal.

Hetimet nisin në një kohë kur Federata po bëhet gati për zgjedhje. Duka, i cili e drejton FSHF-në prej vitit 2002 synon të fitojë një mandat të gjashtë. Përballë tij është deklaruar kandidat ish-gazetari sportiv Dritan Shakohoxha.

Drejtimi prej 20 vitesh i qeverisë së futbollit nga Duka është shoqëruar me akuza të shumta publike. Të fundit kanë qenë ato nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili e ka akuzuar Dukën se ka bllokuar fondet e FIFA-s dhe UEFA-s për pandeminë duke mos ua shpërndarë klubeve.

Gjithashtu hulumtime të publikuara në media kanë nxjerrë në pah pagesa në shkelje të ligjit të ndërmarra nga FSHF në emër të klubit Tirana, e cila ka pasur llogaritë e bllokuara për mos-shlyerje detyrimesh.

Gjatë 20 viteve në drejtim të FSHF-së, ndaj Presidentit Duka ka pasur pretendime për ndërhyrje në tenderët e UEFA-s për të drejtat televizive dhe paracaktime në tenderët e FSHF-së për futbollin shqiptar.

Përfshirja në interesa financiare, direkte apo indirekte me Digitalb, e kanë vendosur Dukën disa herë në akuza për konflikte interesash, pazare me sportin dhe cenim të konkurrencës së lirë. Nga ana tjetër është fakt që për këto të drejta të monopolizuara ato që janë dëmtuar më së shumti janë klubet e futbollit, një pjesë e të cilave nuk janë shpërblyer.

Por për Dukën ka pasur akuza edhe për mënyrën se si diktoi ndryshimin e statutit të FSHF-së rreth dy vite më parë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, të zhvilluar online, më 18 dhjetor 2020, FSHF propozoi kufizimin e parimit “një anëtar një votë” për klubet e Kategorisë së Dytë dhe Tretë.

E drejta e votës iu delegua shoqatave sportive rajonale, të cilat tanimë do kishin përfaqësi të barabartë delegatësh 26, po aq sa klubet profesioniste. Nga 8 shoqatat – Gjirokastër, Fier, Lezhë, Korçë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Tiranë – ajo e kryeqytetit ka më shumë delegatë, tetë të tillë.

Përveç 8 shoqatave të futbollit, me ndryshimet në statut të drejtë vote kanë edhe tre shoqata që lidhen me trajnerët, arbritrat dhe mjekët.

Pikërisht barazimi i votës së klubeve me ato të shoqatave ka nxjerrë zbuluar përplasjet e ndikimeve dhe interesave në zgjedhjet për kryetarë të shoqatave sportive, të cilat duket se do të luajnë rol vendimtar në zgjedhjet e ardhshme për President të FSHF-së ashtu sikurse hetimet ndaj Presidentit aktual Duka.

You don't have permission to register