
Presidenti i FSHF, Armand Duka, mesazh urimi për sezonin e ri
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u drejtoi të enjten klubeve, futbollistëve dhe tifozëve shqiptarë një mesazh urimi me rastin e nisjes së sezonit të ri.
Sezoni këtë vit nis me risi për sa i përket transmetimit, ku tashmë platforma Oversport ka siguruar të drejtat për të gjithë paketën e futbollit shqiptar, “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë, Kupa e Shqipërisë dhe Superkupa.
Oferta e Oversport ishte më e mira në tenderin televiziv që u mbajt pak javë më parë. Si kurrë më parë, ajo do t’u sigurojë klubeve më shumë të ardhura nga të drejtat televizive, gjë që e nënvizoi dhe vetë Presidenti Duka.
“Kategoria Superiore nga ky vit ka dyfishuar të ardhurat nga e drejta e transmetimit. Përpos kësaj, vazhdon mbështetja me topa falas për çdo skuadër,” – tha Duka.
“Për herë të parë […] Kupa e Shqipërisë dhe Kategoria e Parë janë sponsorizuar duke siguruar të ardhura modeste me tendencë rritjeje për sezonet në vijim. […] FSHF do të financojë me para “cash” aktivizimin e çdo futbollisti të ri nga 16 deri 20 vjeç në skuadrat profesioniste,” – vijoi të përmendë risitë Presidenti i FSHF-së.
FSHF garantoi mbështetjen me vijimin e projekteve sipas strategjisë “Futbolli për kombin” ku vëmendje të veçantë do të ketë futbolli për fëmijët, incentivimi financiar për të rinjtë, ofrimi i bazës materiale për të gjitha akademitë dhe futbollin amator.
“Të gjithë bashkë të mbështesim futbollin për gara më të bukura. Dhe pse jo, edhe për një edicion më të mirë europian të klubeve tona. Ju përcjell në emër të FSHF-së shumë suksese në këtë sezon të ri që po nisim, shumë Fair-Play dhe respekt për të gjithë! Suksese të gjithëve aktorëve dhe faktorëve në këtë sezon të ri futbollistik!” – uroi Duka.
Sezoni i ri në Oversport nis të premten, datë 19 gusht, ora 17:00 me ndeshjen Kukësi-Tirana në impiantin e ri sportiv “Kukësi Arena”.
Më pas të shtunën, 20 gusht, luhen Erzeni-Vllaznia e Partizani-Egnatia, ndërsa të dielën Bylisi-Kastrioti e Laçi-Teuta.