
Presidenca e BE thirrje Gjykatës Ndërkombëtare: Rusia po bën krime lufte
Presidenca e Bashkimit Evropian i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të ngrihet ndaj krimeve të luftës që po kryen Rusia në Ukrainë.
Thirrja, nga Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të bllokut, erdhi pas zbulimit të qindra varreve në Izyum, një qytet i çliruar së fundmi nga trupat ukrainase.
Shumë prej tyre thuhet se janë civilë, mes tyre gra dhe fëmijë.
“Ne mbështesim ndëshkimin e të gjithë kriminelëve të luftës,” tha ministri i jashtëm çek Jan Lipavsky.
Ukraina thotë se beson se krimet e luftës janë kryer në Izyum, ku 59 trupa janë zhvarrosur deri më tani, me më shumë që priten nga varret në një pyll në skaj të qytetit.
“Në shekullin e 21-të, sulme të tilla kundër popullatës civile janë të paimagjinueshme dhe të neveritshme,” tha Lipavsky duke shtuar: “Ne nuk duhet ta anashkalojmë. Ne jemi për dënimin e të gjithë kriminelëve të luftës. Unë bëj thirrje për ngritjen e shpejtë të një gjykate të posaçme ndërkombëtare që do të ndjekë penalisht krimin e agresionit.”
Në fjalimin e tij mbrëmjen e të shtunës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se hetuesit kishin zbuluar prova të reja të torturës së përdorur kundër njerëzve të varrosur në Izyum, në rajonin e Kharkiv.
Ai tha se rusët do të duhet të përgjigjen “si në fushën e betejës ashtu edhe në sallat e gjyqit”.
Të enjten, kryetarja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se dëshironte që Putin të përballej me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në Ukrainë.
Rusia pretendon se po lufton për denazifikimin e Ukrainës, në një konflikt që ajo ende i referohet si një “operacion ushtarak special” dhe jo si një luftë.
Ajo nuk ka komentuar për vendet e varrimit në Izyum. Moska ka mohuar më parë se ka shënjestruar civilët.
*Tibo News