
Premier League, 42 të prekur nga COVID-19 në një javë
Dyzetedy futbollistë të Premier-League dhe anëtarë klubesh u infektuan me COVID-19 javën e shkuar. Numri më i lartë i të prekurve nga futbolli anglez për periudhat 7-ditore.
Më herët numri më i lartë qe regjistruar në janar të vitit 2021 – 40.
Brighton, Tottenham, Leicseter, Manchester United, Aston Villa dhe Norwich kanë raste të konfirmuara. Brighton-Tottenham dhe United-Brentford janë shtyrë.
Autoritetet shëndetësore i kanë komunikuar Federatës Angleze të futbollit rregullat e reja anti-COVID ku klubet duhet të sillen si në situata emergjence nëse duan që të vijojnë aktivitetet sportive.
Kështu në stërvitje do të duhet medoemos mbajtja e maskave dhe distancës fizike.
Po kështu masat janë ashpërsuar edhe për tifozët. Në ndeshjet me stadiume ku lejohen mbi 10 mijë spektatorë, përveç certifikatës së vaksinës, tifozëve do t’u kërkohet edhe një test negativ për COVID-19.
Nga situata me të infektuarit janë prekur më së shumti Tottenhami dhe Leicester City.
Tottenham duhej të luante javën e shkuar kundër Rennes, por ndeshja u anulua pasi 13 lojtarë dhe zyrtarë rezultuan me COVID-19.
Ngjashëm edhe Leicester City duhej të udhëtonte në Itali për t’u përballur me Napolin për në Europa League, por udhëtimi u anulua pasi skuadrës i rezultuan disa lojtarë me COVID-19. Edhe kjo ndeshje u shty.