Prej 1 janarit kondomët falas në Francë

Duke filluar nga viti i ardhshëm, të rinjtë francez do të mund t’i marrin kondomët falas.

Kështu ka njoftuar Presidenti Emmanuel Macron gjatë një aktiviteti për të rinjtë, një formë kjo për të ulur sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Prej 1 janarit 2023, qeveria parashikon që farmacitë t’u japin kondomë falas moshave 18-25 vjeç.

Macron e konsideroi këtë politikë si “revolucion parandalimi”, por ai nuk bëri me dije detaje për kostot apo vlerësimin shëndetësor që parashikohet nga kjo nismë.

Një raport shëndetësor vuri në dukje se vitin e shkuar në Francë shkalla e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme në të gjithë vendin ishte rritur me rreth 30 për qind.

Prej vitit 2018 Sigurimet Shëndetësore Franceze rimbursojnë çdo blerje kondomësh nëse ato shoqërohen me rekomandime mjekësore. Gjithashtu në infermierinë e universiteteve ato ofrohen falas, por këto skema rezultojnë se janë të panjohura për tërinjtë, ku sipas një sondazhi vetëm 21% e tyre ishin në dijeni.

Të dhënat kombëtare të shërbimit mjekësor francez, sëmundje seksualisht të transmetueshme si gonorrea, apo klamidia janë në rritje me 45% nga viti 2017 e këtej për grupmoshat 15-29 vjeç.

Ngjashëm një rritje është shënuar edhe në rastet me HIV, ku autoritetet kanë raportuar rreth 5 mijë raste gjatë vitit 2021.

Macron ka vendosur më parë një objektiv për “zero infeksione të reja HIV” në Francë deri në vitin 2030 dhe eliminimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme “si probleme të mëdha të shëndetit publik”, por kjo fushatë mbetet për t’u parë nëse do të realizohet apo jo.

*Tibo News