
Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE
Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë.
Si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sipas MPJD-së, do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës.
Pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave, i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.
Kujtojmë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.