AlbanianEnglish

Popullsia e Shqipërisë tkurret me 1,3%, shkak emigrimi

Popullsia e Shqipëria u pakësua me mbi 36 mijë banorë vitin e fundit. Instituti i Statistikave raporton se në janarin e këtij viti, vendi pati më pak se 2.8 milion banorë, niveli më i ulët i tre dekadave të fundit.

Rënia e lindjeve të reja, shoqëruar me plakjen e popullsisë me ritme të shpejta bëri që mosha mesatare të rritej në 38.2 vjeç nga 37.6 që ishte një vit më parë.

Sipas INSTAT, hemorragjia e pakësimit të popullsisë ka prekur thuajse gjithë vendin, ndërsa Gjirokastra, Berati dhe Dibra po përballen me ritmet më të shpejta të shpopullimit.

I vetmi qark që pati shtim të banorëve vitin e fundit ishte Tirana.

Emigrimi rezulton të jetë edhe shkaku kryesor i kësaj ecurie negative. Nga të dhënat rezulton se në një vit u larguan më shumë se 42 mijë qytetarë, ndërsa në vend pati pak më shumë se 9 mijë kthime.

Përveç emigracionit dhe rënies së lindjeve të reja, ndikim në pakësimin e popullsisë ka pasur edhe pandemia Covid-19. Prej nisjes së krizës shëndetësore, numri i vdekjeve në vend ka arritur në nivelet më të larta që prej viteve 90’.

You don't have permission to register