
Policë britanikë brigjeve të Francës, marrëveshja për të frenuar emigracionin
Britania dhe Franca do të angazhohen së bashku për të bllokuar migracionin e paligjshëm që shfrytëzon detin për të kaluar mes dy shteteve.
Autoritetet britanike thonë se vetëm në vitin 2022 nga brigjet franceze janë trafikuar me gomone mbi 40 mijë njerëz, rreth 11 mijë më shumë se një vit më parë. Londra thotë se rreth 30 mijë përpjekje të tjera të dështuara janë regjistruar vetëm në brigjet e Francës veriore.
Muajin e kaluar Ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman e përshkroi migrimin në rritje si një “pushtim”, mes kritikave që ajo adresoi për kushtet në një qendër të mbipopulluar të shqyrtimit të kërkesave për azil.
Braverman nënshkroi të hënën një marrëveshje të re bashkëpunimi me homologun e saj francez. Ajo tha se marrëveshja përfshin një rritje prej 40% të numrit të oficerëve kufitar të financuar nga Britania e Madhe, që do të patrullojnë plazhet franceze në muajt e ardhshëm.
Kështu për herë të parë, oficerët britanikë do të vendosen në Francë, një veprim i kundërshtuar më parë nga francezët për shqetësimet e sovranitetit.
Gjithashtu në marrëveshje përfshihet investimi në teknologjinë e mbikëqyrjes, si dronët, helikopterët, dhe ekipet e zbulimit me qenë.
Po kështu parashikohen fonde mbështetjeje për qendrat e pritjes dhe largimit në Francë.
Qeveria britanike thotë se pas rritjes së shtuar të emigrimit të paligjshëm qëndrojnë banda shqiptare dhe se shpesh emigrantët nga Shqipëria abuzojnë me ligjet duke aplikuar për azil nën pretendimin se janë nën të ashtuquajturën skllavëri moderne, apo nën kërcënimin e trafikantëve.
Autoritetet britanike thonë se shqiptarët përbënin 42% të grupeve që udhëtonin me varka të vogla nga Franca në 5 muajt e fundit. Shifrat janë kokëforte.
Rreth 11 mijë shqiptarë kanë shkuar në Britani të Madhe përmes kësaj rruge këtë vit, në një kohë kur në vitin 2020 ky numër nuk i kalonte as 1 mijë.
*Tibo News