Pluhuri saharian ‘mbulon’ Shqipërinë

Në orët e mbrëmjes së të mërkurës një pluhur dhe stuhi ere përfshiu vendin tonë. Sinoptikanët thonë se kemi të bëjmë me pluhur saharian dhe masa të rërës të ardhura nga Afrika si pasojë e stuhive të forta të erës të cilat shkaktuan një tjetër ngjyrë në qiell.

Për pasojë, cilësia e ajrit në kryeqytet tejkaloi normat e OBSH-së.

Ekspertët e mjedisit thonë se megjithatë situata nuk ka efekte të dëmshme në shëndet.

Ndërsa sinoptikanët theksojnë se një situatë e tillë është kalimtare dhe zakonisht nuk zgjat më shumë se një ditë.

“Është një ndotje e ajrit e përkohshme, do të qëndrojë të paktën deri sonte në mbrëmje. Gjatë natës, një front i ftohtë me reshje intensive do përfshijë Shqipërinë, me rënien e reshjeve do kemi pastrim të ajrit dhe grimcave të Saharasë.”