
Planin e kisha të përgatitur me 4 objektivë. Çfarë ka dëshmuar Dan Hutra në polici
Pa kaluar 24 orë nga ngjarja që Tronditi vendin, me Dan Hutren që vrau tre gra dhe plagosi tre të tjera, ky i fundit ka dhënë dëshminë e plotë në polici. Mediat vendase kanë publikuar pjesë të dëshmisë së tij, në të cilën ai shprehet se nuk kishte patur qëllim të vriste dy prej grave, por të tjerë persona. Një pjesë tronditëse e dëshmisë së tij është kur thotë se e kishte planifikuar të gjithën dhe se do të dorëzohej vetë pasi të vriste viktimën e katërt.
Lexoni më poshtë pjesë të dëshmisë së Dan Hutrës në Polici:
“Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40 vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera. Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta më shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxorra thikën dhe sulmova me thikë.
Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar. Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie te cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4 unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg.”
*Tibo News