
Plani i masave për kursim, Qeveria cakton ditët pa makina për qytetet kryesore
Nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim ditë pa makina në qytetet kryesore të çdo qarku.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se “kriza energjetike po ndihet pa dallim, në qytet e fshat”, ndërkohë që “ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi ekonomitë globale”.
“Kriza e karburanteve kërkon mirëkuptimin tonë që të reduktojmë lëvizjen me automjete sa më shumë që kemi mundësi. Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit”, tha Kumbaro.
“Sot Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për organizimin e Ditës pa Makina në koordinim me institucionet e tjera dhe në përputhje me të gjitha ligjet dhe parimet e Kodit Rrugor, u është shpërndarë pefektëve dhe kryetarëve të bashkive, në mënyrë që të jemi në kohë për një organizim sa më të mirë. Ftoj secilin prej jush që në qytetet tuaja të bëheni partnerë të kësaj nisme: për kursim, për mjedis më të pastër, për shëndet”, u shpreh Kumbaro.