AlbanianEnglish

Pikat më tërheqëse për t’u vizituar në Valbonë

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një nga zonat turistike më të frekuentuara në veri të Shqipërisë. Shumëkush e konsideron atë një pikë turistike që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit, pasi peizazhi është kurdoherë mbresëlënës, si në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër.

I gjendur vetëm 6 kilometra në verilindje të qytetit të Bajram Currit, parku konsiderohet si pikë tejet tërheqëse pasi bën bashkë edhe turizmin familjar, por edhe atë të aventurës.

Rruga automobilistike është në kushte të mira, pa malore dhe shumë kthesa, gjë që e bën perfekte për t’u qasur edhe nga moshat e treta.

Lugina e Valbonës rrethohet nga maja tejet të larta të cilat japin një pamje përrallore. Për të pasionuarit pas ngjitjeve apo shtegtimeve në male, kjo është parajsa.

Por cilat janë pikat që nuk duhen humbur në Valbonë?

Gryka e Shoshanit

Parku nis në fshatin Shoshan, pikërisht në Grykën e Shoshanit, ku mes masiveve malore të Shkëzlenit (2,404 m) nga verilindja dhe të Alpeve në krahun e së ashtuquajturës “Maja e Potkuqit” (850 m) nga perëndimi është formuar një kanion i jashtëzakonshëm.

Një ndalesë në këtë pikë është për të mos u humbur.

Më tutje ndodhet dhe “Vrella e Shoshanit” një burim ujor monument natyre në të cilin ndodhet edhe mulliri dyqindvjeçar i Bajram Currit.

Shpella e Dragobisë

Njohur kryesisht prej elegjisë së Fan Nolit kushtuar figurës së Bajram Currit, i cili vdiq në këtë vend në vitin 1925, “Shpella e Dragobisë” është një pikë tejet interesante për t’u arritur për të pasionuarit pas ecjes dhe eksplorimit të natyrës.

Me një distancë rreth 2.6 kilometra dhe disnivel 300 metra (700-1000 metra) shtegu për në shpellë është relativisht i lehtë dhe i shënjuar.

Mulliri i vjetër Valbonës

Rreth 10 kilometra përtej Dragobisë buzë Valbonës ndodhet mulliri i vjetër që mban emrin e lumit. I rindërtuar disa herë, mulliri ka një urë këmbësorësh.

Prej kësaj ure mund të shijohet edhe më mirë se në Shoshan ngjyra, zhurma dhe rrjedha e Valbonës pasi distanca është edhe më e afërt.

Kjo vendndodhje është kthyer në atraksion për turistët pasi askush nuk largohet që aty pa bërë një foto.

Liqeni i Xhemës

Formuar nga reshjet e shiut dhe dëborës, liqeni i Xhemës është rreth 10-15 minuta larg në këmbë nga rruga kryesore.

Liqeni mes një pylli të vogël ofron një pamje fantastike, sidomos në pranverë dhe vjeshtë ku ka maksimumin e ujit.

Majat e Alpeve, “Bjeshkëve t’Namuna”

Lugina e Valbonës shtrihet mes Alpeve të Shqipërisë, të cilat mbledhin numrin më të madh të majave me mesataren mbi 2 mijë metra.

Prej tyre dallojnë: “Maja e Çet-Harushës” (2,042 m), “Maja e Çeremit/Gjarprit” (2,213 m), “Maja e Ismet Sali-Bruçajt” (2,235 m), “Maja e Thatë” (2,406 m), “Maja e Peçmarës” (2,424 m), “Maja e Kollatës” (2,554 m), “Maja e Zezë” (2,585 m) dhe mbi të gjitha “Maja e Jezercës” (2,694 m), që ofron një nga sprovat më të mëdha të dashamirësve të ngitjeve në Shqipëri.

Këshillohet që për ngjitjen e tyre të pasionuarit të koordinohen me grupe lokale apo grupe të specializuara, ndërsa është e domosdoshme të kesh përvojë me lartësitë.

Nëse nuk jeni tipa ngjitjesh apo ecjesh të gjata në male, një shëtitje qoftë dhe përgjatë rrugës kryesore është fantastike në Valbonë.

Ujëvara e Valbonës

Valbona buron rreth 5 kilometra në perëndim të Rragamit, fshatit të fundit të banuar në luginë.

Rrugëtimi për të shkuar atje është mesatarisht i lehtë dhe këshillohet që të bëhet pas shkrirjes së borës në pranverë pasi në kohë të ftohtë terreni mund të bëhet tejet i vështirë për t’u kaluar.

Vlen të thuhet se uji i Valbonës buron kryesisht nga shkrirja e dëborës dhe për këtë në muajt e verës ujëvara i pakëson ndjeshëm prurjet.

You don't have permission to register