Pikat më tërheqëse nga Saranda, Butrinti dhe ishujt e Ksamilit

Saranda është një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit në jug të Shqipërisë. Ajo bën bashkë një gërshetim fantastik mes turizmit detar, kulturor dhe arkeologjik, të cilat mund të vizitohen shumë lehtë nga turistët, qoftë dhe brenda një dite.

I gjendur buzë detit, me një panoramë fantastike, Saranda ofron pafund mundësi për plazh me gjiret e saj përrallore, si brenda zonës urbane, po ashtu dhe në rrethina.

Por një nga pikat më të rëndësishme me të cilat identifikohet kjo zonë është Parku i Butrintit, i cili ndodhet 19 km në jug të qytetit. Parku mbrohet nga UNESCO që prej vitit 1992.

Butrinti dëshmon periudha të ndryshme civilizimi, të cilat kuptohen nga stilet e ndryshme arkitekturore helene, romake dhe veneciane.

Aty gjendet mozaiku më i veçantë në Ballkan që është një thesar për trashëgimin kulturore shqiptare, pasi motivet dhe kornizat e tij janë bërë nga gurgdhendësit vendas. Por përveç kësaj turistët kanë plot pjesë magjepsëse për të vizituar në park, që nga “Porta e Luanit” e deri te amfiteatri i vjetër.

Por trashëgimia historike nuk mbaron këtu. Jo shumë larg Butrintit, vetëm 15 minuta lundrim me varkë në perëndim, gjendet kalaja e Ali Pashës.

Kjo fortesë u ndërtua pranë grykës së derdhjes në det të kanalit të Vivarit, në shekullin e IX me synim mbrojtjen e Butrintit dhe është ruajtur shumë mirë pavarësisht kohës dhe fenomeneve të natyrës.

Të veçantë gjithashtu për bregdetin e Sarandës janë edhe ishujt ku dallojnë për nga peizazhi ishujt e Ksamilit.

Por vlen të theksohet gijthashtu dhe ishulli Tongo, rreth 45 minuta me varkë në jug të Butrintit.

I konsideruar si skaji më jugor detar i Shqipërisë, Tongo ofron një plazh përrallor i lakmueshëm për të pasionuarit pas aventurave, apo dhe privatësisë.

*Tibo News.