Pezullimi i ligjit nga Kushtetuesja, studentët: Një fitore e vogël

Studentët e Mjekësisë kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e efekteve të ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë së Përgjithshme, deri në vendimin përfundimtar. Ndërkohë që seance e gjykimit është lënë më 21 Dhjetor. “Gjykata Kushtetuese pezullon ligjin ose me saktë zbatimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë. Për ne lajmi sigurisht që është shumë i mirë. Tregon se rezistenca jonë prej pesë muajsh e në vazhdim ka dhënë rezultatet e para. Ne jemi të lumtur dhe sigurisht presim vendimin që do dalë nga Gjykata Kushtetuese pas seancave gjyqësore. Seanca e parë është lënë në datën 21 Dhjetor 2023. Jemi shpresëplotë që drejtësia do të veprojë dhe jemi shpresëplotë që fitorja dhe e drejta asnjëherë nuk dhurohet. E drejta fitohet sepse e drejta ju takon atyre që luftojnë deri ne fund dhe lufta bëhet për të jetuar në këtë vend me dinjitet.”

Studentët gjatë muajit Tetor veç protestave bojkotuan edhe mësimin si formë kundërshtimi për ligjin që përcakton bllokimin e diplomës pas përfundimit të studimeve, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afateve të përcaktuara në ligj. “Mësimi ka filluar në fakultet dhe ju jemi rikthyer orëve, po ashtu duke zëvendësuar edh orët e humbura. Nuk ka pasur penalitete, mungesa e të tilla problematika që mund të lindnin rrugës. Kemu gjetur mirëkuptim dhe mbështetje nga të gjithë.” Gjykata kushtetuese pranoi kërkesën e studentëve dhe ka bërë pezullimin e ligjit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Ndërkohë që studentët veç kërkesës për shfuqizimi të detyrimit për bllokim të diplomës, kanë këkuar edhe shfuqizimin e nenit 5 i cili kërkon që ata që nuk pranojnë, duhet të paguajnë tarifën reale të kostove të studimit, e cila është përllogaritur të jetë 248,975 Lek në vit. Deri në momentin që ligji është i pezulluar, studentët nëse do tu kërkohet pagesë e tarifës së shkollimit, do veprohet me ligjin e vjetër, ku pagesa është 45 mijë Lekë në vit.