
Peshëngritësit shqiptarë që garojnë sot në kampionatin europian
Vetëm një ditë më parë në Parkun Olimpik ka startuar Kampionati Europian i Peshëngritjes, i 100-ti që do të transmetohet çdo ditë në Oversport përmes platformës Tibo deri më 5 qershor. Janë të shumtë peshëngritësit shqiptarë që do të garojnë në këtë turne dhe pretendimet e kombëtares shqiptare janë për disa medalje ari, si për femrat edhe për meshkujt.
Sot në kategorinë 55 kg do të zbresë në pedanë nga ora 17:00 peshëngritësja Evangjeli Veli, e cila synon të marrë vendin e parë në këtë kategori. Në po të njëjtën peshë garojnë edhe Enkileda Carja dhe Julia Ali Hasani. Po sot, në peshën 61 kg, garon edhe Matues Caci. Garimi nis në orën 20:00.
Shqipëria do të garojë në disa pesha me peshëngritësit meshkuj, por gara më e rëndësishme është padyshim ajo e datës 31 maj, kur në peshën 73 kilogram do të zbresin në pedanë Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Kampioni i Botës, Briken Calja është një nga pretendentët kryesorë për të marrë medalje ari në këtë kampionat europian.