
Pesë kompani pritet të përfitojnë nga rritja e buxhetit të Gjermanisë për ushtrinë
Vendimi i fundit i Gjermanisë për të rritur shpenzimet për ushtrinë është një lajm shumë i mirë për të paktën pesë kompani të mëdha të cilat mund të sigurojë biznes me leverdi.
Më 27 shkurt, kancelari gjerman Olaf Scholz vendosi që Gjermania të rishikojë buxhetin duke alokuar 100 miliardë euro për sistemin e sigurisë dhe ushtrinë.
Kjo lëvizje erdhi si rrjedhojë e luftës Rusi-Ukrainë dhe do të sigurojë që Gjermania të arrijë detyrimin si vend anëtar i NATO-s për të alokuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë.
Ekspertë të ekonomisë analizojnë se fill pas vendimit të Scholz, në bursa pati ndryshime të ndjeshme të kuotave për kompani të mëdha që mbulojnë prodhimet e logjistikës ushtarake gjermane.
Lokheed Martin pati një rritje me 5% të hënën, ndërsa Raytheon me 3%. Nga të gjitha kompanitë ajo që pati vlerësim më shumë pas lajmit ishte BAE Systems. Kuotat e saj pësuan rritje me 10% të vlerës.
Ekspertët vlerësojnë se krahas tre kompanive në fjalë, përfituese e madhe mund të jetë Hensoldt dhe Rheinmetall.
Vitet e fundit vendet anëtare të NATO-s janë vënë nën trysni për të shtuar shpenzimet për ushtrinë. Sipas analistëve pesha kryesore e NATO-s vijon të mbahet me kontributet e SHBA-ve.
Nëse të gjitha vendet anëtare do të mund të kontribuonin sa 2% i GDP-së, atëherë shpenzimet vjetore të NATO-s për ushtrinë do të shkonin në rreth 400 miliardë euro nga rreth 300 që janë aktualisht.