Përurohet lagjja e re në Baldushk, dhjetëra shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti

Në Baldushk u përuruan të hënën dhjetëra shtëpi të reja për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.

Me një ceremoni festive, ku nuk munguan fishekzjarret, kompleksi i banesave të reja u përurua nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Veliaj tha se qeveria dhe Bashkia Tiranë kanë qenë të përpikta në angazhimin e tyre për të mbështetur familjet fatkeqe, të cilave iu dëmtuan banesat nga tërmeti.

Ai shtoi se kjo nismë ka qenë e paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar dhe se krahas banesave projektet e parashikuara për rindërtimin kanë pasur gjithashtu edhe zhvillime infrastrukturore si shkolla, apo kopshte dhe çerdhe.

“[…] me një iniciativë të padëgjuar më përpara, arritëm që në 3 vite të kemi mbyllur shumicën më të madhe të nevojave dhe sot me 60 vila, shtëpi individuale dhe me një kompleks me 3 rrugë paralele me 29 vila që i kemi këtu, mbylli përfundimisht dramën e tërmetit në të gjithë zonën e Baldushkut” tha Veliaj.

Kryebashkiaku u ndal edhe te shembja e pallatit të dëmtuar në rr. “Myslym Keta”, duke theksuar se “gënjeshtrat e atyre që japin mend nga vilat e Lalzit nuk duhen besuar” dhe se “e vëerteta është që edhe 6 nga 14 familjet e fundit janë dakordësuar dhe po vendosen në shtëpitë e reja”.