Përurohet baza ajrore e Kuçovës

U inaugurua sot baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë, me një ceremoni të veçantë. I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i lartë i aleancës, Gjeneral Lejtnan Pablo Sanchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës. Ai tha se përurimi i bazës ajrore të Kuçovës dëshmon angazhimin e NATO-s në rajon.

“Përurimi i bazës ajrore të Kuçovës dëshmon se aleanca jonë me një qasje 360 gradëshe është e angazhuar mjaft në këtë rajon dhe si koalicion ne marrim në konsideratë angazhimet e Shqipërisë për sigurinë e NATO-s si e tërë.

Nëse hedhim sytë rreth nesh, nëse hedhim sytë kësaj baze të re është e dukshme se Shqipëria është më shumë se sa kurrë e gatshme që të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë e paqen mes të tjerash edhe prej këtij vendi”.

Gjenerali shtoi duke thënë se kjo bazë do jetë në përputhje me standardet e NATO-s dhe do përmirësojë ndërveprueshmërinë, rezistencën si dhe bashkëveprimin në kuadër të aleancës.