Përurohen mjediset e reja të pallatit të sportit Farie Hoti

Nga sot sportistët e Klubit Sportiv Tirana kanë mundësinë të stërviten në mjedise bashkëkohore.

Të premten u përuruan mjediset e rindërtuara të pallatit të Sportit të lojërave me dorë, “Farie Hoti”.

Në ceremoni ishin të pranishëm emra të njohur të sportit si Briken Çalja, Izmir Smalaj e Alban Beqiri. Po kështu sportistë me kontribute ndër vite me Tiranën ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Ai tha se për Tiranën, kjo është një ëndërr e kthyer në realitet.

“A është i vërtetë ky transformim? A është i vërtetë ky investim kaq cilësor për klubin më prestigjioz të Republikës së Shqipërisë, i denjë sa rreshti i kupave dhe i medaljeve? Më në fund mund të themi Po. Unë besoj se edhe fryma e këtij klubi, e këtyre skuadrave, është inkurajimi, tw jemi mbështetës dhe motivues. T’i themi njëri – tjetrit: “Faleminderit”! “Jam krenar për ty!”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë u shpreh mirënjohës ndaj sportistëve elitarë të Tiranës dhe tha se në janar klubit do t’i rikthehen pishinat tek zona e Liqenit Artificial duke i dhënë një mundësi më shumë sportit të notit.

Në sallën, që mban dhe emrin e një prej ikonave të volejbollit të Tiranës, janë mbajtur kampionate dhe aktivitete sportive të ndryshme si në boks, judo, taekwondo, mundje etj. të cilat tashmë do të zhvillohen në kushte bashkëkohore dhe moderne.