Përmbytjet në Pakistan, më shumë se 900 viktima

Shirat e musonit dhe përmbytjet në Pakistan kanë prekur më shumë se 30 milionë njerëz gjatë javëve të fundit, tha të enjten ministri i ndryshimeve klimatike të vendit, duke e quajtur situatën një “katastrofë humanitare të shkaktuar nga klima me përmasa epike”.

Pakistani i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë me përpjekjet e ndihmave ndërsa lufton për të përballuar pasojat e shirave të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar përmbytje masive që nga muaji i kaluar, duke vrarë më shumë se 900 njerëz.

Provinca jugore e Sindh, më e goditur në ditët e fundit, kishte kërkuar 1 milion tenda për njerëzit e prekur.

Ministri për Planifikimin dhe Zhvillimin Ahsan Iqbal tha se 30 milionë njerëz ishin prekur, një shifër që do të përfaqësonte rreth 15% të popullsisë së vendit të Azisë Jugore.

Zyra e Agjencisë së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha në një përditësim të enjten se shirat e musonit kishin prekur rreth 3 milionë njerëz në Pakistan, nga të cilët 184,000 janë zhvendosur në kampet e ndihmës në të gjithë vendin.

Përpjekjet për financimin dhe rindërtimin do të jenë një sfidë për Pakistanin me para të kufizuara, i cili duhet të shkurtojë shpenzimet për të siguruar që Fondi Monetar Ndërkombëtar të miratojë lirimin e parave shumë të nevojshme të ndihmës.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) tha në një raport se në 24 orët e fundit janë dëmtuar 150 kilometra rrugë në të gjithë vendin dhe mbi 82,000 shtëpi janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht.

Që nga mesi i qershorit, kur filloi musoni, mbi 3,000 kilometra rrugë, 130 ura dhe 495,000 shtëpi janë dëmtuar, sipas raportit të fundit të situatës së NDMA, shifrat jehonë edhe në raportin e OHCA.

 

*TiboNews