Përmbytjet në Libi, 1/4 e qytetit Derna është zhdukur

Nuk ka fjalë për të përshkruar situatën në Derna, qytetin port të Libisë pas shkatërrimit nga stuhia Daniel. Dy diga u shkatërruan duke rezultuar në mbi 5,300 të vdekur dhe mbi 10,000 të zhdukur.

Një e katërta e qytetit, sipas Reuters, është zhdukur. Situata është tragjike pasi lagje të tëra janë rrafshuar.

“Trupat janë kudo, në det, në lugina, nën ndërtesa”, tha Hekim Siquat, ministri i aviacionit civil për Reuters pasi vizitoi qytetin.

“Nuk e ekzagjeroj kur them se 25% e qytetit është zhdukur. Shumë e shumë ndërtesa janë shembur”.

Videot që qarkullojnë në rrjet tregojnë njerëz që thërrasin në mënyrë të dëshpëruar për ndihmë dhe bërtasin ndërsa tonelatat e baltës pushtojnë shtëpitë e tyre.

Shirat e rrëmbyeshëm po fshijnë gjithçka në rrugën e tyre ndërsa rrugët janë kthyer në lumenj.