Përmbytjet në Kosovë, kaos në disa zona

Disa qytete në Kosovë janë duke u përballur me përmbytje masive si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme tha se ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat. Në Mitrovicë dhe Pejë ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe vërshime të shpejta.

Qyteti më i prekur është Skënderaj, ku autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente. Lumi Klina dhe disa degë të tij, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar vërshime në rreth dhjetë fshatra të kësaj komune.