Përkujtohet me mirënjohje vepra e poetit Shefki Karadaku

Bashkia e Elbasanit nderoi të mërkurën me titullin e mirënjohjes veprën e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili u nda nga jeta një vit më parë.

Nënkryetari i Bashkisë, Artur Guni, e konsideroi privilegj të veçantë përcjelljen prej tij të vlerësimit, për faktin se edhe ai, njësoi si Karadaku, ka origjinë lagjen Spahikorre në Elbasan.

Shkrimtari i njohur elbasanas spikati në poezi që në fillim-vitet 60-të. Veprat i botoi në gazeta të ndryshme të kohës si “Ylli” apo “Drita”. Karadaku nuk hoqi kurrë dorë nga stili i tij artistik jashtë shinave të nomenklaturës, edhe kur disa shkrime nuk iu botuan për shkak të pikëpamjeve që kishte diktatura në art.

Foto/Nadire Karadaku, bashkëshortja e shkrimtarit Shefki Karadaku duke marrë vlerësimin e Mirënjohjes nga Bashkia Elbasan, Tibo News.

Po të mërkurën, bordi editorial ndërkombëtar i gazetës “Nacional” i përcolli familjes së shkrimtarit Karadaku, çmimin për vepër jetësore me motivacionin se vepra e tij si shprehje e vuajtjes dhe guximit krijues ndërthur bukurinë lirike me narrativen tragjike të ekzistencës, fuqinë epike me kërkimin e së vërtetës e cila ka ushtruar ndikimin më të madh në letërsinë bashkëkohore shqiptare me mesazhe të forta për shqiptarët dhe njerëzimin.

Vlerësimi iu përcoll nga kryetari i gazetës “Nacional” Mujë Buçpapaj.

Shkrimtarë dhe kritikë të ndryshëm letrarë, si Halil Rama, Mujë Buçpapa, Sakip Cami apo Andon Andoni vlerësojnë se për shkak të stilit, diktatura komuniste bëri të pamundurën për ta mënjanuar Shefki Karadakun nga kujtesa kolektive.

Megjithatë ai vijoi modestisht të shkruante duke radhitur mbi 37 vepra letrare në prozë, poezi, novela dhe romane, prej të cilave spikasin “Feniks”, “Toraks”, “Lumi me njëqind zemra”, “Puthja e ngrirë”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat” etj. Pas rrëzimit të diktaturës dhe gjatë viteve të fundit vepra të tij janë përkthyer suksesshëm në gjuhë të huaj si anglisht apo gjermanisht.

Artisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu, duke kujtuar Karadakun, veçon pikërisht modestinë si një nga karakteristikat që e dallonin më së shumti shkrimtarët e tjerë.

“Ai ishte shumë modest, ne i lexonim veprat e tij, e lëvdonim, por ai të gjitha këto lëvdata i kalonte me një qetësi dhe modesti të jashtëzakonshme, […] ishte njeri fisnik, ashtu siç kishte të bardha flokët kishte të bardhë edhe zemrën,” – tha Kapexhiu.

Shkrimtari dhe publicisti Rama thotë se vepra e Karadakut meriton një vlerësim më të madh se një mirënjohjeje.

“Përveç një mirënjohjeje, Karadakut meriton që t’i jepet edhe titulli qytetar nderi i Elbasanit, një institucioni publik t’i jepet gjithashtu emri i tij dhe nga Presidenti t’i jepet titulli ‘Mjeshtër i Madh’ më se i merituar,” – theksoi Rama.

Foto/Libra të botuar na Shefki Karadaku, Tibo News.

Poeti Karadaku radhitet krah emrave të njohura të letërsisë shqipe si Dritëro Agolli, Petro Marko apo dhe Llazar Siliqi. Ai u nda nga jeta më 16 mars të vitit 2021 në moshën 80-vjeçare.

Familjarë, artistë dhe shkrimtarë të njohur e përkujtuan të mërkurën me shfaqjen e një dokumentari në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Dokumentari u ideua nga shkrimtari Halil Rama dhe u mbështet në realizimin e tij nga platforma TIBO.