
Për herë të parë në 20 vjet, euro barazohet me dollarin
Për herë të parë në 20 vite euro dhe dollari u këmbyen këtë javë me vlerë të njëjtë duke sinjalizuar se ekonomia e Bashkimit Europian po shkon drejt recesionit të thellë.
Në fillim të kësaj jave një euro u këmbye me një dollar. Ky zhvlerësim i monedhës evropiane nënkupton se kompanitë dhe konsumatorët e BE-së do të paguajnë më shumë për mallrat dhe shërbimet që importojnë, ndërsa eksportet evropiane bëhen menjëherë më të lira për tregjet ndërkombëtare.
Euro ka përjetuar një humbje dramatike të vlerës që nga fillimi i shkurtit, kur këmbehej me 1.13 dollarë.
Rënia u përshpejtua javët e fundit pasi u përhap frika se Rusia, ofruesi kryesor i energjisë i BE-së, do të ndërpresë plotësisht rrjedhat e gazit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura si rezultat i pushtimit të Ukrainës.
Deri më tani, 12 vende të BE-së kanë pësuar një reduktim total ose të pjesshëm të gazit rus.
Barazia euro-dollar vjen pasi Kroacia finalizon procesin për t’u bashkuar me eurozonën, duke u bërë shteti i 20-të anëtar i BE-së që miraton monedhën e përbashkët.
E gjithë vëmendja tashmë është te prirja që po ka monedha e BE-së, e cila rrezikon të zhvlerësohet më tej kundrejt dollarit. Hera e fundit kur 1 euro vlente më pak se 1 dollarë ka qenë në nëntor 2002.
Që atëherë, euro ka gëzuar rritje të qëndrueshme, duke arritur pothuajse në 1.60 dollarë në verën e vitit 2008, kur ekonomia amerikane u trondit nga kriza financiare.
Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka përmbysur gjithçka, duke shkaktuar një dëm të madh në ekonominë e BE-së. Pushtimi ka përmbysur tregjet e energjisë dhe ka rritur faturat e gazit në nivelet më të larta të të gjitha kohërave.
Gjendja nuk është aspak shpresëdhënëse. Inflacioni ka goditur eurozonën në shifrat rekord prej 8.6% teksa aktiviteti ekonomik është ngadalësuar.
Banka Qendrore Evropiane ka rritur normat e interesit në një përpjekje për të zbutur inflacionin dhe planifikon të vazhdojë ta bëjë këtë pasi situata të përkeqësohet më tej. Por disa analistë e kanë kritikuar BQE-në për lëvizjen shumë vonë në krahasim me homologët e saj në SHBA, MB dhe Kanada.