Pentagoni: Nëse Ukraina humbet luftën, NATO do të duhet të luftojë kundër Rusisë

Kreu i Pentagonit Lloyd Austin deklaroi se ndarja e fondeve për Ukrainën është thelbësore duke nënvizuar se nëse Ukraina humbet luftën, vendet e NATO do të duhet të luftojnë kundër Rusisë.

“Ne e dimë se nëse Putin ka sukses, ai nuk do të ndalet. Ai do të vazhdojë të jetë më agresiv në rajon. Dhe liderë të tjerë në mbarë botën, autokratë të tjerë do ta shikojnë këtë.

Dhe ata do të inkurajohen nga fakti që kjo ka ndodhur sepse ne nuk jemi në gjendje të mbështesim një shtet demokratik”, tha Austin në një fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së të cituar nga mediat ukrainase.

“Nëse jeni një vend baltik, jeni shumë i shqetësuar se mund të jeni i radhës. Ata e njohin Putinin, ata e dinë se çfarë është i aftë. Dhe sinqerisht, nëse Ukraina bie, unë vërtet besoj se NATO do të hyjë në luftë me Rusinë,” shtoi kreu i Pentagonit.

Një ditë më parë presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi perëndimin për një konflikt bërthamor, si një kërcënim “real”, për shkak të lëvizjeve të vendeve të NATO-s në konfliktin me Ukrainën. Por vendet perëndimore, paralajmëroi ai, duhet të kujtojnë se Moska posedon gjithashtu “armë të afta për të arritur në territoret e tyre”.