
Pena e pandarë e shtypit dhe letërsisë arbëreshe
Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku vazhdojnë të jetojnë rreth 100 mijë arbëreshë që flasin shqipen. Zhvillimet e letërsisë shqiptare në Itali janë të lidhura ngushtë me fillesat e shtypit.
Fillesat e shtypit arbëresh, por edhe atij shqiptar datojnë më 23 shkurt të vitit 1848. “L’Albanese d’Italia”, (Shqiptari i Italisë), ishte gazetë politike, shoqërore dhe letrare në gjuhën italiane, pjesërisht edhe arbërisht. Ajo drejtohej nga poeti Jeronim de Rada, i njohur për veprën madhore “Këngët e Milosaos”.
Në atë katund ku sonte do më arish,
s’e ke të folët tonë, s’e ke shpinë;
atje s’ë kopshti yt, atje s’ke ndere;
o zemërgur, përse nuk rri me ne?
Vargje nga “Këngët e Milosaos”
Rilindja e letërsisë arbëreshe erdhi nga fundit i viteve ’50, kur dhe nisi të botohej revista “Shejzat” nga Ernest Koliqi në Romë . Më pas revistat “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Zjarri”, “Zëri i Arbëreshëvet”, “Lidhja” dhe “Bota shqiptare”.
Shtypi i asaj kohe ndikoi në rritjen e një brezi krijuesish që shkruan në arbërisht, si edhe në propagandimin e një shteti të pavarur dhe sovran, të shkëputur nga Perandoria Osmane.
Një pjesë e tirazhit të shtypit arbëresh shërbeu edhe si shtëpi botuese, duke publikuar shumë vepra letrare në të gjitha zhanret.
Përveç De Radës në Itali ka edhe poetë të tjerë që kanë përfaqësuar letërsinë shqipe, ato janë: Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë. Solano ishte poet, prozator, dramaturg dhe publicist. Veprat e tij më të rëndësishme janë: “Burbuqe t’egra”, poezi (1946), “Shkretëtira prej gurit”, dramë(1974), “Tregimet e Lëmit”.
Domenico Bellizzi (1931), i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: “Zgjimet e gjakut”, “Këngë arbëreshe”, “Hapma derën zonja mëmë”.
Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar trilogjinë poetike: “Shpirti i arbërit rron”; “Arbëreshi tregon”.
Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. Ai është angazhuar edhe si drejtor i revistës “Bota shqiptare” dhe është shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik.
Trashëgimtarë të letërsisë arbëreshe janë edhe breza më të rinj që vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.