PD me vulën e Berishës, ish kryeministri: Sot ka vetëm një Parti Demokratike

Një ditë e veçantë ishte ajo e djeshmja për demokratët që PD-në e identifikojnë me Sali Berishën, e që tashmë edhe me ligj vula i takon ish kryeministrit. Ky vendim do të thotë që gjykata e njeh Berishën si liderin historik të PD-së.

Gëzimi nga ky vendim nuk u fsheh as nga vetë Berisha, i cili nuk ngurroi ta cilësonte si historike vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Sot është ditë e mirë, për çdo demokrat e demokrate, por që është me PD dhe flamurin e saj. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por ka fituar demokracia, ka fituar çdo shqiptar. I vetmi i humbur sot është Edvin Kristaq Rama.”

Berisha përmendi edhe gjyqtarët që sipas tij shpëtuan pluralizmin duke ndalur grabitjen e flamurit:

“Sot gjyqtarë guximtarë kryen aktin më të madh të trimërisë; ato guxuan dhe thanë të vërtetën. Patriotë të vërtetë injoruan çdo kërcënim dhe vendosën ne përputhje me ligjet e kushtetutën.”

Ish kryeministri bëri edhe një thirrje për demokratët:

“Demokrate e demokratë, sot nuk ka më parti me vulë, parti pa vulë. Sot nuk ka më PD të vërtetë, PD të pavërtetë.

Sot ka vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar rreth flamurit të saj, flamurit të lirisë, flamurit të fitores. Sot ka vetëm një opozitë të bashkuar.”