PD denoncon emërimet e fundit në MEPJ

Partia Demokratike ose ‘Rithemelimi’, drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur së fundmi akuza të forta lidhur me ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Sipas PD-së, ministrja ka emëruar në Konsullatën shqiptare në Turqi, bashkëshorten e një shtetasi turk që ka urdhërarresti evropian, me emrin Juna Harka.

Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së së Berishës, Floriana Garo:”Ministrja e investimeve strategjike të brendshme’ dhe ‘punëve të pista të jashtme’, Olta Xhaçka, ka emëruar Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll zonjën Juna Harka, bashkëshortja e një shtetasi turk që ka urdhërarrest evropian”.

Juna Harka është emëruar sekretare e Konsullatës Shqiptare më datë 22 shkurt 2023, me firmë të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Drejtorisë së Çështjeve Konsullore dhe Konsullatës në Stamboll u është kërkuar të marrin masa për zbatimin e urdhrit, pra punësimin e e saj si sekretare të dytë.

Emri i bashkëshortit të saj thuhet të jetë Ramazan Keskin.

Mediat shkruajnë se nga aktet e administruara nga SPAK, rezulton se Ramazan Keskin është kreu i një organizate kriminale e cila ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike të llojit ‘’Heroinë’’ dhe ‘’Kokainë’’ në Roterdam, Holandë dhe Gjermani, ku bëhej grumbullimi e përpunimi i lëndës narkotike, e cila më pas shpërndahej në gjithë Evropën.

Nga ana e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.8 datë 03.02.2023, është vendosur:

  • Pranimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  • Sekuestrimi i pasurive të subjektit nën hetim pasuror R. K., si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
  1. Pasurinë me adresë, Selitë, Tiranë, me sipërfaqe 1 000 m2, e llojit “ullishte”.
  2. Automjeti tip Audi SQ7, me targa gjermane LR-II7777, me numer shasie Nr.WAUZZZ4M5HD052188.
  3. Automjeti autoveturë, marka AUDI, tipi Q7, targa AA275SB, me shasi Nr.WUAZZZ4L3BD026080, viti i prodhimit 2011.
  4. 25% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “GLOBAL LEADER IN SPORT (GLS)” shpk- Nr. NIPT L92229020F, regjistruar më datë 29.10.2019.
  5. 50% të aksioneve të Operatorit Ekonomik “KESKINDAG” shpk- Nr. NIPT L71726012K, regjistruar më datë 26.05.2017.
  6. 50% të aksioneve të Operatori Ekonomik “REALIZ” shpk- Nr.NIPT L71822022A, regjistruar më datë 22.06.2017, datë themelimi 05.06.2017.

*Tibo News