Pasuritë që vijnë nga krimi do gjurmohen brenda dhe jashtë vendit

Pasuritë e vendosura përmes aktiviteteve kriminale, do të gjurmohen tashmë dhe të identifikohen brenda por edhe jashtë Shqipërisë. Këtë rol pritet ta marrë një zyrë e re e ngritur në Ministrinë e Brendshme me propozim, ku theksohet se fokusi kryesor do jenë eksponentët e krimit të organizuar apo ish-zyrtarët e dënuar.

Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ka treguar detaje:

“Ka për mision gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale, qofshin këto nga krimi i organizuar apo dhe nga korrupsioni, përfshirë këtu dhe persona zyrtarë apo edhe politikanë të cilët kanë abuzuar me detyrën. Zyra e Rikuperimit të Aseteve e cila do të ngrihet në Policinë e Shtetit, do të ushtrojë veprimtarinë e saj në bashkëpunim me zyrat e tjera homologe për rikuperimin e aseteve në vendet e BE duke identifikuar këto pasuri kudo që ato të jenë”.

I pyetur se sa pasuri me burim aktivitetin kriminal janë sot në përdorim nga shteti shqiptar? Lamallari u përgjigj:

“Rreth 363 pasuri të tilla të konfiskuara në mënyrë përfundimtare”.

Rezulton se qytetet ku janë konfiskuar më së shumti  pasuri, dhe që tanimë janë nën administrimin e shtetit, janë Vlora, Durrësi dhe Tirana.