Pastrim dhe mbledhje e mbetjeve edhe në periferi, Veliaj tregon nismën me dy qytetet italiane

Bashkia e Tiranës zgjeron bashkëpunimin me Veronën dhe Viçenzën në Itali për pastrimin dhe mbledhjen e mbetjeve në Tiranë, përmes kompanisë “EcoTirana”. Kjo marrëveshje u diskutua gjatë pritjes së dy homologëve të qyteteve të mësipërme nga Kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në Tiranë dy miq, dy kryetarë bashkie, dhe dy njerëz që e duan Shqipërinë, që e duan raportin e veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë, Damianon dhe Giacomon, kryetarin e Bashkisë së Veronës dhe kryetarin e Bashkisë së Vicenzës, të cilët janë gjithashtu edhe ortakët tanë në një nga eksperiencat më të bukura që kemi pasur mes dy vendeve tona, siç është pastrimi i qytetit të Tiranës”.

Edhe krerët e Veronës dhe Viçenzës u shprehen të lumtur për këtë bashkëpunim me Tiranën.

“Qyteti i Veronës ka një pakt miqësie me qytetin e Tiranës, i cili zgjat prej vitit 2015. Unë jam kryebashkiak prej, pak a shumë një viti e gjysmë, dhe konfirmoj dëshirën për ta çuar përpara këtë bashkëpunim, së bashku me qytetin e Viçenzën, me të cilën kemi bashkuar forcat dy vite e gjysmë më parë”.

“E shoh me interes këtë eksperiencë, që është një Partneritet Publik-Publik, e kësisoj ideja se dy bashki italiane, në këtë rast përmes një shoqërie me agjendë publike, së bashku me Bashkinë e Tiranës, mund të sjellin këtu eksperiencën tonë. Ky aktivitet ka gjeneruar një agjendë, e cila po funksionon në mënyrë të shkëlqyer dhe që krijon mundësi për investime publike”.

Kjo marrëveshje mes Tiranës, Veronës dhe Viçenzës për pastrimin tashmë do të mbulojë me shërbim jo vetëm zonën qendrore, por edhe periferinë.