Pasaportat me emrin “Republika e Maqedonisë” do të jenë të pavlefshme

Sot, më 12 shkurt 2024, kanë kaluar pesë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Prespës. Siç parashikohet nga Marrëveshja e Prespës që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, qytetarët e Maqedonisë së Veriut duhet të zëvendësojnë dokumentet e tyre të udhëtimit me emrin e ri të vendit nëse dëshironin të udhëtonin jashtë vendit.

Nga mesnata e së hënës deri të martën nuk do të jenë më të vlefshme pasaportat me emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” dhe ata shtetas të vendit të cilët nuk i kanë zëvendësuar dokumentet e udhëtimit me të reja, në të cilat thuhet emri kushtetues i vendit “ Republika e Maqedonisë së Veriut” nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas marrëveshjes, brenda kësaj periudhe, qytetarët e vendit duhet të zëvendësojnë dokumentet e udhëtimit (pasaportat) nëse dëshironin të udhëtonin jashtë vendit, në mënyrë që shkruhet emri i ri i shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.