
Pas vdekjes së Pelés, NASA nderon futbollistin legjendar
Së fundmi, NASA ka gjetur një mënyrë të veçantë për të nderuar kujtimin e futbollistit legjendar Pelé, i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare. Agjencia hapësinore ka postuar në Twitter një foto të një galaktike, e cila mban ngjyrat e Brazilit, të verdhë dhe blu. Në postimin e publikuar në Twitter thuhet:
“Ne nderojmë vdekjen e legjendarit Pelé, i njohur për shumë njerëz si mbreti i ‘lojës së bukur’.” Ky imazh tregon një galaktikë spirale në yjësinë Skulptor, e paraqitur me ngjyrat e Brazilit.
Kujtojmë se ylli brazilian u diagnostikua me kancer në zorrën e trashë në vitin 2021 dhe u desh të shtrohej në spital disa herë për shkak të problemeve shëndetësore. Ai lindi në Brazil, në Tres Coraçoes në shtetin Minas Gerais, më 23 tetor 1940. Futbollisti legjendar Pelé është tre herë kampion bote (Suedia në 1958, Kili në 1962 dhe Meksika në 1970).