Pas takimit me Putin, Kancelari gjerman Scholz: Detyra jonë e mallkuar ta parandalojmë luftën në Europë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ngriti shqetësimin se një krizë e madhe po kërcënon Europën, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Scholz tha se të dy udhëheqësit diskutuan në mënyrë të kuptueshme mbi mbledhjen e trupave ruse në kufirin me Ukrainën.

“Është urgjente që të kemi çtensionim në mënyrë që të mos zhvillojmë luftë në Europë. Detyra jonë e mallkuar ta parandalojmë luftën në Europë”, tha Scholz.

“Për ne gjermanët, por gjithashtu për të gjithë europianët, është e rëndësishme që siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet në dëm të Rusisë, por vetëm me Rusinë”, shtoi Kancelari.

Pavarësisht deklaratave për paqe, Putin akuzoi Ukrainën se ka kryer gjenocid në zonat që mbahen në kontroll nga rebelët e mbështetur nga Moska, në Donbas.

“Në këndvështrimin tonë, ajo që po ndodh në Donbas është gjenocid”, tha Putin në konferencë për mediat.

Të martën, Rusia tregoi se ishte e hapur për diskutime të mëtejshme për të shmangur konfliktin e hapur ushtarak.

Para takimit me kancelarin gjerman disa ushtarë që kishin marrë pjesë në stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës janë kthyer në bazat e tyre.