
Pas hetimeve të SPAK, 45 mln lekë të konfiskuara gjatë 2021
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit tregonte se pastrimi i parave të krimit të organizuar është një problem në Shqipëri. Tre vite nga ngritja e Prokurorisë së Posaçme, e cila në fokus të punës së saj ka pasurinë e krimit të organizuar dhe zyrtarëve të korruptuar, bilanci që ka bërë vetë SPAK për konfiskimin e pasurive është lehtësisht i matshëm. Rreth 45 milionë lekë janë konfiskuar në valuta të ndryshme thuhet ne raportin e SPAK për vitin 2021.
SPAK ka sekuestruar disa pasuri të tjera dhe rreth 19 milionë euro në disa llogari bankare. Por, sekuestrimi i këtyre pasurive është në proces gjyqësor ku do vendoset për konfiskimin apo jo nga shteti. SPAK i kushton buxhetit 5 milionë dollarë në vit ku rreth 78% e kësaj shume shkon për paga dhe siguracione të prokurorëve dhe administratës.