Pas dy dekadash, Angelina Jolie jep dorëheqjen si ambasadore e UNHCR-së

Aktorja e Hollivudit, Angelina Jolie ka lënë rolin e saj si e ambasadore për agjencinë e OKB-së për refugjatët (UNHCR), por do të mbetet një aktiviste.

Jolie, e cila ka qenë në terren gjatë 21 viteve të saj me UNHCR-në, tha se donte të vazhdonte të punonte me refugjatët jashtë organizmit global.

“Unë do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem në vitet në vijim për të mbështetur refugjatët dhe njerëzit e tjerë të zhvendosur,” tha Jolie në një deklaratë duke njoftuar largimin e saj.

“Pas 20 vitesh duke punuar brenda sistemit të OKB-së, ndiej se është koha që unë të punoj ndryshe, duke u angazhuar drejtpërdrejt me refugjatët dhe organizatat lokale dhe duke mbështetur avokimin e tyre për zgjidhje”, tha ajo.

Jolie ka qenë e dërguara speciale e UNHCR-së që nga viti 2012. Këtë vit, ajo vizitoi Jemenin dhe Ukrainën për t’u takuar me personat e zhvendosur.

Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi e falënderoi për shërbimin, angazhimin dhe ndryshimin që ka bërë për refugjatët dhe njerëzit e detyruar të ikin.

“Pas një kohe të gjatë dhe të suksesshme me UNHCR-në, e vlerësoj dëshirën e saj për të ndryshuar angazhimin e saj dhe mbështesim vendimin e saj,” tha Grandi. “E di që kauza e refugjatëve do të mbetet afër zemrës së saj dhe jam i sigurt se ajo do të sjellë të njëjtin pasion dhe vëmendje”