
Parlamenti Evropian merr vendimin, Kosova pa viza në BE
Këtë të martë, Parlamenti Evropian i ka thënë po liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Anëtarët e Parlamentit Evropian votuan pro liberalizimit të vizave për Kosovën dhe me 19 prill pritet të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor.
Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se nuk ka marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave dhe se do të shkojnë direkt me votim.
“Do të shkojmë direkt me votim… Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të BE-së dhe asnjë amendament… Është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.
Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.